Secondary Adv

Rama: 20 shkolla në Tiranë pajisen me kamera inteligjente

Njëzet shkolla në Tiranë janë pajisur me kamera inteligjente si pjesë e masave për forcimin e sigurisë në institucionet arsimore.

Sistemi mundëson monitorimin në kohë reale të ambienteve të përbashkëta dhe sinjalizimin e situatave që kërkojnë ndërhyrje.


Gjatë një inspektimi në gjimnazin “Partizani”, ku sistemi i ri është instaluar, Kryeministri Edi Rama deklaroi se kamerat synojnë të rrisin sigurinë e nxënësve dhe të ndihmojnë drejtuesit e shkollave, punonjësit e sigurisë dhe prindërit. Njëzet shkollat e përzgjedhura në fazën e parë janë ato me numrin më të lartë të nxënësve.


Kamerat do të vendosen vetëm në ambientet e përbashkëta dhe jo në klasa. Sipas Ramës, ky kufizim lidhet me rregullat që zbatohen në vendet e Bashkimit Europian. Pamjet lidhen online me Qendrën Kombëtare të Monitorimit dhe Policinë e Shtetit, ndërsa aksesi në sistem do të bëhet sipas një protokolli të përcaktuar.


Sistemi sinjalizon situatat në kohë reale

Sipas Kryeministrit, teknologjia e re zëvendëson kamerat e vjetra, të cilat kishin mundësi të kufizuara për monitorimin dhe evidentimin në kohë reale të situatave. Kamerat inteligjente mund të ndihmojnë në identifikimin e personave që hyjnë nga jashtë, veprimeve të dyshimta dhe shkeljeve të ndryshme në ambientet e shkollës, përfshirë edhe duhanpirjen.


“Po kalojmë nga një gjeneratë kamerash të vjetra, të cilat ndihmonin deri në një farë mase, ishin krejtësisht të pamjaftueshme për të ndjekur situatat në kohë reale dhe për të pasur një pamje të qartë të vijës së sjelljes në tërësi në mjedisin e përbashkët, tek një gjeneratë e re e kamerash që i krijon siguri shumë më të madhe shkollës”, u shpreh Rama.


Ai theksoi se klasat nuk do të monitorohen me kamera, ndërsa sistemi do të mbulojë ambientet e përbashkëta. “Është absolutisht e pamundur më që të pish duhan pa u detektuar. Pra ky është një sistem për të cilin ne kemi punuar shumë”, deklaroi Kryeministri.


Projekti nisi pas tragjedisë së Martin Canit

Rama e lidhi modernizimin e sistemit të sigurisë me zotimin e marrë pas vrasjes së të miturit Martin Cani në Tiranë. Sipas tij, kamerat e vjetra nuk kishin ndihmuar mjaftueshëm për të kuptuar dinamikën e ngjarjes, çka solli angazhimin për përdorimin e një teknologjie më të avancuar në shkolla.


“Këto kamera janë vendosur dhe do të vendosen po aty ku ishin të vjetrat, po ndryshe nga të vjetrat, ato jo vetëm shohin, edhe sinjalizojnë në kohë reale drejtorinë, punonjësit e sigurisë apo vetë Policinë e Shtetit, duke i ndihmuar ata të kapin shpejt sinjalin, të kuptojnë shumë më mirë për çfarë bëhet fjalë dhe të ndërhyjnë pa humbur kohë”, tha Rama.


Sipas tij, 20 shkollat e para përbëjnë vetëm fazën fillestare të procesit dhe sistemi pritet të zgjerohet gradualisht edhe në institucione të tjera arsimore.


90 oficerë sigurie do të certifikohen në shtator

Brenda muajit shtator pritet të certifikohen edhe 90 oficerë sigurie që do të vendosen në shkolla. Patrullat e policisë do të mbikëqyrin institucionet arsimore në momente të caktuara të ditës, përpara nisjes së mësimit, gjatë pushimit të madh dhe pas përfundimit të tij.


Një tjetër masë për vitin e ri shkollor lidhet me komunikimin mes shkollave, prindërve dhe nxënësve. Dita e parë do t'i kushtohet komunikimit dhe njohjes, në mënyrë që familjet dhe nxënësit të marrin informacionin e nevojshëm drejtpërdrejt nga drejtuesit dhe mësuesit.


Gjatë këtij viti do të hapen gjithashtu 42 shkolla dhe terrene sportive të rehabilituara në të gjithë vendin.


Burimi: Shqiptarja


Më të lexuarat